BB: Ballkani, prioritet – “Lidhja e Serbisë me Shqipërinë, rëndësi të veçantë”

“Lidhja e Serbisë me rajonin, e sidomos me Shqipërinë, është prioritet kyç i Bankës Botërore“, deklaruan përfaqësues të institucionit gjatë një takimi me eksponentë të lartë të qeverisë serbe, përfshirë zëvendës kryeministrin e vendit si dhe ministren e infrastrukturës.
Në qendër të diskutimit, veç reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen Serbia, kanë qenë edhe projektet infrastrukturore, ku sigurisht që në fokus ishte Korridori 10, pra autostrada Nish-Prishtinë, e njohur ndryshe si “autostrada e paqes”, ose autostrada e Ballkanit.
“Qëllimi jonë është që të lidhemi me rajonin dhe këto projekte janë tepër të rëndësishme për ne“, deklaroi Mihajlovic, ministre e infrastrukturës në Serbi.
Delegacioni i Bankës Botërore ndërkohë përbëhej nga zyrtarë të lartë të institucionit, të cilët përfaqësojnë një sërë rajonesh.
Në qendër të vëmendjes ka qenë edhe infrastruktura hekurudhore. Beogradi e ka vendosur si prioritet zhvillimin në këtë drejtim pasi kërkon të futet në rrjetin europian të transportit hekurudhor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.