BB: Bankat po nxisin ekonominë – “Kreditimi po jep stimuj, sektori është i mirëkapitalizuar”
Sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe me norma fitimi, thotë Banka Botërore në raportin periodik të pranverës për vendet e Ballkanit
Perëndimor. Rritja e kreditimit nga bankat private në ekonominë shqiptare ka mbështetur ekonominë, në një kohë që adresimi i çështjes së kredive jo-performuese ka forcuar bilancet e bankave, thotë më tej institucioni.
Normat e ulëta të interesit, progresi në adresimin e kredive jo-performuese si dhe rritja ekonomike kanë nxitur zgjerimin e sektorit privat me 13.5%, duke mbështetur kështu si familjarët ashtu edhe biznesin privat.
Banka Botërore vlerëson edhe punën e Bankës së Shqipërisë sa i përket politikave monetare, duke nënvizuar faktin se, nuk ka pasur arsye për ndryshimin e kursit të këtyre politikave, nxitur edhe nga fakti se, inflacioni vijon të mbetet ende larg objektivit të bankës qendrore, pranë dhe më poshtë se 3%.
Banka e Shqipërisë ka deklaruar se, nuk do të rrisë normat e interesit përpara fundit të këtij viti, duke vijuar kështu politikën e stimujve në ekonominë shqiptare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.