BB: Jeni rast i rrallë – Tregu i punës sipas arsimimit, raport i “frikshëm”
Në raportin e fundit të Bankës Botërore në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, me titull: “Trendet në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor 2017”, ka të dhëna mjaft interesante sa i përket ecurisë së tregut në vendin tonë, por edhe në 5 vendet e tjera të rajonit.
Një ndër pjesët më interesante të këtij raporti është ajo që analizon strukturën e tregut të punës. Këtu, Banka Botërore dhe instituti i Vjenës për studime ekonomike nënvizon: Shqipëria është një rast i veçantë, pasi ka normën më të lartë në rajon të të punësuarve me arsim të ulët, dhe njëkohësisht normën më të ulët të të punësuarve me arsim të lartë.
Ky grafik, jo vetëm që e ilustron mjaft mirë këtë, por tregon edhe progresin e vogël që është bërë në këtë drejtim në 6 vitet e fundit. Ngjyra bojëqielli ilustron të punësuarit me arsim të ulët, ngjyra gri, ata me arsim të mesëm, dhe ngjyra jeshile atë me arsim të lartë.
Diferenca me vendet e tjera të rajonit ndërkohë është e dukshme, për të mos folur për vende si Austria, Bullgaria apo Hungaria.
Trendi tregon se, do të duhet të kalojnë më shumë se 30 vite në mënyrë që Shqipëria të rregullojë strukturën e tregut të punës.
Arsyet kryesore të kësaj disbalance lidhen me vetëpunësimin. Të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor zënë një pjesë të madhe të tregut të punës në vendin tonë, duke gjeneruar kështu edhe fenomenin për të cilin Banka Botërore tregon se është i rrallë.
Nga 2010 në 2016, progres ka pasur, por minimal, pasi medalja ka dy anë.
Kur bëhet fjalë për punësimin, nga 2010 në 2016, sa i përket atyre me arsim të ulët, është ulur me 12.9%, ndërkohë që për ata me arsim të lartë është rritur me plot 34%. Në Austri p.sh., kjo normë fiksohet në 80%.
Ana tjetër e medaljes është papunësia, dhe jo punësimi. Për ata me arsim të lartë, është rritur ndjeshëm nga 2010 në 2016. Kjo vjen për shkak të rritjes së numrit të atyre me arsim të lartë në forcën punëtore.
Ky grafik tregon se, në vitin 2010, papunësia te personat me arsim të lartë fiksohej në 13.6%, ndërkohë që sot është ngjitur në 17.8%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.