“BB” këshillon qeverinë për PPP – Faza e zbatimit dhe monitorimit të projekteve, hapësira për përmirësim

Banka Botërore ka publikuar një dokument me mjaft rëndësi për qeveritë e 135 vendeve të ndryshme të botës, përfshirë qeverinë shqiptare, për menaxhimin e projekteve infrastrukturore me skemën e partneritetit publik privat. Dokumenti ka për synim të evidentojë pikat më problematike të procesit të prokurimeve nëpërmjet PPP duke këshilluar kështu qeverinë që të ndërhyjë atje ku ka më shumë hapësira për të ndërhyrë.
Evidentimi i problematikave bëhet për 4 shtylla kryesore. Pikët minimale, vetëm 58 të tilla nga 100, Shqipëria i merr në kriterin e menaxhimit të kontratës, implementimit dhe monitorimit të saj. Kjo është pikërisht “thembra e Akilit”, jo vetëm në teori, por edhe në praktikë. Historia në vendin tonë ka treguar se, kontratat koncesionare tradicionale që me kalimin e kohës u shndërruan në PPP çalojnë pikërisht te faza e zbatimit dhe te e rinegocimit, gjë të cilën Banka Botërore e nënvizon edhe në këtë dokument, sipas të cilit në këtë pikë ka vend për përmirësim të ndjeshëm të kuadrit rregullator dhe ligjit.
Një tjetër pikë që duket problematike është edhe ajo e përgatitjes së PPP, ku Shqipëria grumbullon vetëm 67 pikë nga 100 të tilla. Vendi ynë ndërkohë performon mirë në drejtim të prokurimit, me 80 pikë, si dhe në drejtim të propozimeve të pakërkuara, ku merr 75 pikë.
Dokumenti i Bankës Botërore vjen në një kohë që projekti 1 miliard euro po hyn në kapacitet të plotë dhe që debati publik mbi kontratat koncesionare si dhe ato në partneritet me privatin ka prekur kulmin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.