BB: Koha për reforma! Publikohet raporti, ekonomia ecën, por ka sfida

Periudha pas zgjedhjeve është strategjike për të avancuar me axhendën e reformave, të cilat do të sigurojnë edhe uljen e varfërisë,”- thotë Banka Botërore për Shqipërinë në raportin e sapo publikuar të përditësimit ekonomik për vendet e Europës dhe Azisë qendrore.
Ky raport mban titullin: “Migrimi dhe lëvizshmëria”. Këshillat për Shqipërinë Banka Botërore i bën në pjesën dedikuar vendit tonë, në kapitullin e sfidave dhe rreziqeve. Me reforma i referohet atyre strukturore që do të vijnë dhe që do të përmirësojnë klimën e biznesit, por edhe atyre në drejtësi, energjetikë, menaxhimin e investimeve publike dhe atë të përmirësimit të aftësive.
Sa i përket parashikimeve për të ardhmen, në terma afat-shkurtër Banka Botërore shprehet optimiste, madje ka rishikuar lehtë në territor pozitiv projeksionet e rritjes ekonomike për këtë vit, në 3.6% rritje, nga 3.5% që vlerësonte më parë. Në terma afat-mesëm dhe afatgjatë situata ndryshon. Për vitin 2019, banka ka shkurtuar projeksionet e rritjes, në 3.5%, nga 3.8% që parashikonte në raportin e muajit qershor.
Pas Komisionit Europian, edhe Banka Botërore ka minuar shpresat e qeverisë për një rritje mbi 5% në afat-mesëm, dhe po ashtu si Brukseli vë theksin te rëndësia e implementimit të reformave. Investimet e huaja direkte, rritja e eksporteve dhe konsumi i fortë i brendshëm, thotë Banka botërore, do të vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike gjatë viteve në vijim.
Institucioni thekson gjithashtu se, varfëria do të bjerë ndjeshëm në vitet në vijim. Në tërësi, në pjesën dedikuar vendit tonë, Banka Botërore vlerëson pozitivisht zhvillimet e fundit në vend, fokusuar në kuadrin makro-ekonomik. Tregu i punës, ecuria fiskale dhe investimet e huaja direkte marrin vëmendjen maksimale.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.