BB miraton huanë 100 $ mln, mbështetje për fuqizimin e sektorit financiar

Shqipëria ka përfituar një kredi të re prej 100 milionë dollarësh nga Banka Botërore të cilat do të shkojnë në mbështetje të fuqizimit të sektorit financiar. Vendimi u miratua nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës.
Përfitues nga kjo kredi do të jenë si bankat ashtu edhe shoqëritë e kursim kreditit duke synuar në rritjen e fleksibilitetit të tyre për kreditimin e ekonomisë.
Drejtorja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Ellen Goldstein u shpreh pas miratimit të kredisë se reformat e mbështetura nga ky projekt synojnë të trajtojnë cënueshmëritë aktuale të sektorit financiar duke rritur fleksibilitetin e tij.
Sipas saj këto reforma do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet financiare bankare dhe jobankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike.
Projekti strukturoret rreth tre shtyllave: miratimi i masave për të reduktuar kreditë e këqija dhe për të forcuar rrjetin e sigurisë financiare; fuqizimi i rregullave, mbikëqyrjes dhe regjimeve të zgjidhjes së problemeve të bankave dhe të shoqatave të kursim – kreditit; dhe fuqizimi i rregullave dhe mbikëqyrjes së fondeve të investimit.
Pjesë e projektit të ri janë edhe paketa ligjore e iniciuar nga qeveria dhe autoritetet e sektorit bankar me synimin e uljes së kredive me probleme.
Ndër të tjera kjo paketë përfshin ligj të ri falimentin, ligj për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, një ligj i ri për shoqatat e kursim-kreditit, amendamente të ligjit për auditimin, ligjit për sigurimin e depozitave, ligjit për ndërmarrjen e investimeve kolektive, kodit të procedurës civile dhe ligjit për përmbaruesit private.
Kredia për Zhvillimin e Politikave të Sektorit Financiar është një kredi me interes fiks e IBRD-së me një periudhë faljeje 8 vjeçare, dhe afat shlyerjeje prej 31 vjetësh.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.