BB paralajmëroi thellim të varfërisë, ministri Ahmetaj sqaron shifrat: “Qeveria e përgatitur, nuk përfundojmë në skenarin e 2012-ës”
Ministri i Rindërtimit dhe koordinatori për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj nëpërmjet një komunikatë për shtyp ka komentuar raportin e Bankës Botërore për Shqipërinë, në të cilin parashikoheshin shifra të mundshme për krizën në ekonominë shqiptare pas COVID-19.
“Ky raport nuk është i një situate tradicionale ekonomike të Ballkanit Perëndimor apo Shqipërisë, por është vetëm një fotografim i dëmeve të mundshme momentale nga COVID-19. Këto raporte janë paralajmërime për t’i bëra të ditura qeverive që të marrin masat e duhura. Çdo aktor politik ose i çdo fushe tjetër që e interpreton ndryshe është ose joprofesional ose ka qëllim të dezinformojë.” – u shpreh ministri përpara se të komentonte shifrat.
Z.Ahmetaj u shpreh se në raportin e Bankës Botërore theksoheshin edhe aspekte pozitive për Shqipërinë si rritja e pagës minimale. Së bashku me të edhe të pagës mesatare në nivelin 15% ndër të tjera. Gjithashtu edhe niveli i papunësisë që për vendin tonë është ulur në 11.5%.
Ndërkohë për pjesën tjetër të raportit ku flitej për skenare të thellimit të krizës së varfërisë në vend për shkak të pandemisë, ministri Ahmetaj u shpreh se qeveria është e përgatitur për të mos lejuar përsëritjen e historisë:
“Në raportin e Bankës Botërore thuhet se varfëria mund të rritet nga 4-8% në skenarin e parë që do ta çonte totalin në 40%. Ndërsa në skenarin e dytë varfëria mund të arrinte deri në 44% ku mund të arrinte nivelet e vitit 2012.
“Diferenca midis 2012-ës dhe ditës se sotme, është se ne atë kohe nuk kishte krizë, por keqmenaxhim të situatës nga ajo qeveri që e shtynë vendin drejt krizës dhe varfërisë historike. Ne jemi të alertuar, të përgatitur dhe shumë shpejt do të prezantojmë planin tonë të ringritjes. Ne kemi dy goditje të rënda në ekonomi. Goditje nga tërmeti, dhe goditja globale.”, tha Ahmetaj
Nëpërmjet dy paketave ekonomike të qeveria ka bërë publike, z.Ahmetaj u shpreh se është arritur qëllimi për të ruajtur nivelin e të ardhurave për shtresat më në nevojë, duke trajtuar në këtë mënyrë pikërisht problemin që theksohet në raport.
Në raport gjithashtu theksohej se vëmendje të veçantë duhej t’i kushtohej sektorit të shërbimeve, ku shumë njerëz do humbsinin të ardhurat e tyre, gjë e cila do çonte në varfëri:
“Meqenëse shumica e njerëzve që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër, dhe simulimi nuk supozon ulje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht si rezultat i njerëzve në qytete të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.