“BB” për investitorët e huaj – Raporti i ri, guidë për qeverinë. Stabiliteti politik, shtysa kryesore

Banka Botërore sapo ka publikuar raportin global të konkurrueshmërisë së investimeve 2017-2018, ku fokusi vihet pikërisht te ekonomitë në zhvillim, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore vjen pjesërisht në formën e një ankete dhe evidenton elementët kyç që çojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tregjet në zhvillim.
Banka Botërore arrin në përfundimin se, për investitorët e huaj, kriteret kyç që ata vlerësojnë janë: stabiliteti politik, kushtet makroekonomike, klima e biznesit dhe rregullatorët. Të gjitha këto elemente janë jo pak të lakuar edhe në vendin tonë, sidomos klima politike dhe rregullatorët.
Me rregullatorë, Banka Botërore i referohet jo vetëm autoriteteve mbikqyrëse por edhe legjislacionit në tërësi që përfshin edhe ndryshimet e shpeshta fiskale. Ndryshimet e shpeshta në skemën dhe normat e taksimit janë një ndër elementët që vlerësohet më së shumti nga investitorët e huaj.
“Raporti global i konkurrueshmërisë së investimeve shkon përtej vlerësimit të trendeve, por eksploron në thellësi investimet e huaja direkte dhe motorët e tyre. Për më tepër, ofron rekomandime praktike dhe të arsyeshme për vendet në zhvillim që të sigurojnë eficencën maksimale nga investitorët e huaj”, deklaroi një prej hartuesve të këtij raporti.
Praktikisht, Banka Botërore evidenton se, dy faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e investitorëve janë: stabiliteti politik dhe ambienti ligjor së bashku me rregullatorët.
Raporti flet edhe për mënyrën sesi impaktohet biznesi vendas nga investimet e huaja. Në Shqipëri evidentohet fakti se, mes biznesit të madh dhe pjesës tjetër të sipërmarrjes në vend ka një hendek të madh.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.