BE arrin marrëveshjen për ligjet e klimës – Ndalohet shitja e automjeteve me motor me djegie të brendshme në 2035

Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshjen për ligjet e propozuara kundër ndryshimeve klimatike në orët e para të së mërkurës. Një nga pikat e marrëveshjes ishte dhe ndalimi i shitjes së automjeteve që punojnë me lëndë djegëse fosile si dhe një fond prej miliarda eurosh për të ndihmuar më të varfërit nga kostot e dioksidit të karbonit
Pas më shumë se 16 orësh negociatash, ministrat e mjedisit të 27 vendeve anëtare ranë dakord për të pasur një qëndrim të përbashkut për pesë ligjet, pjesë e një pakete masash për të luftuar ndryshimet klimatike.
Shefi i politikave klimatike të BE-së, Frans Timermans u shpreh se kriza klimatike dhe pasojat e saj janë të qarta, për këtë arsye dhe politikat që do ndiqen në këtë kuadër janë të pashmangshme. Ai shtoi se pushtimi i Ukrainës nga furnizuesi kryesor i gazit, Rusia, po i nxit vendet të braktisin sa më shpejt karburantet fosile.
Ministrat mbështetën pjesët thelbësore të paketës që Komisioni Europian propozoi fillimisht verën e kaluar, duke përfshirë një ligj që kërkon që makinat e reja të shitura në BE të emetojnë zero dioksid karboni duke filluar nga viti 2035. Kjo do ta bënte të pamundur shitjen e makinave me motor me djegie të brendshme.
Marrëveshja nënkupton që propozimi të shndërrohet në Ligj në bashkimin europian. Marrëveshjet e ministrave do të përcaktojnë dhe qëndrimin e tyre në negociatat e ardhshme me Parlamentin e BE-së për ligjet përfundimtare. Parlamenti ka mbështetur tashmë objektivin e për ndalimin e shitjeve të automjeteve me motor me djegie të brendshme në vitin 2035.
Italia, Sllovakia dhe shtete të tjera kishin kërkuar shtyrjen e këtij vendimi deri në vitin 2040. Vendet përfundimisht mbështetën një kompromis të propozuar nga Gjermania, tregu më i madh i makinave në BE, i cili mbrojti objektivin e vitit 2035 dhe i kërkoi Brukselit të vlerësonte në vitin 2026 nëse automjetet hibride apo neutrale ndaj karburanteve që shkaktojnë dioksid karboni mund të përputhen me objektivin.
Timmermans tha se komisioni do të jetë mendjehapur, por aktualisht, hibridet nuk kanë ofruar reduktime të mjaftueshme të emetimeve dhe karburantet alternative janë jashtëzakonisht të shtrenjta.
Propozimet për klimën synojnë të sigurojnë që BE-ja me 27 vende anëtare – emetuesi i tretë më i madh i gazeve serë në botë – të arrijë objektivin e saj të vitit 2030 për të reduktuar emetimet neto me 55% nga nivelet e vitit 1990.
Për këtë arsye qeverive dhe industrive do u kërkohet të investojnë shumë në prodhim më të pastër, energji të rinovueshme dhe automjete elektrike.
Pas negociatave të vështira, u ra dakord të krijohej një fond i BE-së prej 59 miliardë eurosh për të mbrojtur qytetarët me të ardhura të ulëta nga kostot e këtyre politikave gjatë viteve 2027-2032.
Lituania ishte i vetmi vend që kundërshtoi marrëveshjet përfundimtare, pasi kishte kërkuar pa sukses një fond më të madh krahas Polonisë, Letonisë dhe vendeve të tjera të shqetësuara se tregu i ri mund të rrisë faturat e energjisë për qytetarët.
Finlanda, Danimarka dhe Holanda – vende më të pasura që do të paguajnë më shumë në fond sesa do të marrin mbrapsht – kërkonin që ai të ishte më i vogël.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.