BE do të vendosë viza për qytetarët e SHBA – Shkak moszbatimi i reciprocitetit

Parlamenti Europian i kërkon Komisionit Europian të rivendosë detyrimin për pajisje me viza për shtetasit amerikanë. Rezoluta u miratua të enjten dhe nxit Komisionin të ndjekë hapat e nevojshëm ligjorë brenda dy muajsh.
Tashmë KE është i detyruar të marrë masa duke vendosur një regjim vizash me SHBA, duke qenë se Washingtoni nuk lejon lëvizjen e lirë për pesë shtete të BE.
Qytetarët e Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Polonisë dhe Rumanisë ende nuk mund të hyjnë në territorin e SHBA pa viza, ndërkohë që qytetarët amerikanë lëvizin lirisht drejt të gjitha vendeve të BE.
Kështu BE ka vendosur të aktivizojë mekanizmin e reciprocitetit me SHBA, i cili parashikon se nëse një vend nuk heq vizat brenda 24 muajsh nga data e njoftimit, si në rastin e Amerikës, liberalizimi i vizave mund të pezullohet për shtetasit e tij për 12 muaj.
Ky njoftim iu përcoll SHBA në 12 prill 2014. Edhe Kanadaja i imponon viza Bullgarisë dhe Rumanisë, por vendi ka njoftuar se ato do të liberalizohen në 1 dhjetor 2017.
Në përputhje me parimin e reciprocitetit, Australia, Brunei dhe Japonia kanë hequr vizat për të gjithë vendet e BE dhjetorin e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.