BE do vaksinojë shumicën deri në Qershor, Bloomberg: “Do ketë mjaftueshëm doza për mbi 55% të popullsisë”
Shumica e shteteve europiane do të kenë mjaftueshëm vaksina të Covid-19 për të imunizuar shumicën e banorëve deri në fund të Qershorit, sipas agjencisë amerikane të lajmeve, Bloomberg, që citonte një memorandum të brendshëm. Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Holanda do të kenë mundësinë të vaksinojnë plotësisht mbi 55% të popullsisë deri në fund të Qershorit, sipas raportit, që përmendte projeksione të memorandumit nga Komisioni Europian.
Numri konfirmon vlerësimet publike të vaksinave që blloku me 27 vende pret të marrë në tremujorin e dytë. Komisioni ka thënë vazhdimisht se BE, me një popullsi prej rreth 450 milionë, do të marrë rreth 360 milionë doza deri në fund të Qershorit, shtesë nga 100 milionë që janë marrë deri më tani. Kjo do të jetë e mjaftueshme për të arritur objektivin e vaksinimit të të paktën 70% të popullsisë së rritur të bllokut deri në Verë. Bashkimi Europian pret të marrë në periudhën Prill-Qershor 55 milionë doza të vaksinës me një dozë të Johnson & Johnson dhe 300 milionë të tjera nga Pfizer me BioNtech, AstraZeneca dhe Moderna, që kanë një regjim me 2 doza.
Megjithatë, është ende e paqartë nëse të gjithë dozat e pritura do të dërgohen sipas afatit. Europa mori rreth gjysmën e vaksinave që priste në tremujorin e parë, për shkak të shkurtimeve të mëdha të AstraZeneca drejt BE.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.