BE, emetimet e karbonit u rritën 8.1% – 2021, aktiviteti ekonomik u rimëkëmb pas pandemisë së koronavirusit!
Emetimet e rregulluara nën tregun e karbonit të Europës u rritën me 8.1% vitin e kaluar, duke përjashtuar aviacionin, pasi aktiviteti ekonomik u rimëkëmb pas pandemisë së koronavirusit, treguan të dhënat paraprake të Komisionit Europian.
Rreth 45% e prodhimit të gazeve serrë të Bashkimit Europian rregullohet nga Sistemi i Tregtimit të Emisioneve, që është skema kryesore e bllokut me 27 vende anëtare për të trajtuar ngrohjen globale duke tarifuar të drejtën për të emetuar dioksid karboni.
Sipas ekspertëve, emetimet e mbuluara, duke përjashtuar aviacionin, arritën në 1,353 miliardë ton dioiksid karboni, nga 1,251.5 miliardë ton një vit më parë. Emetimet e sektorit të ngrohjes dhe energjisë elektrike u rritën me 11.5% në 669.3 milion ton, thanë analistët.
Kërkesa për energji elektrike u rrit në vitin 2021 pas pandemisë dhe çmimet e larta të gazit çuan gjithashtu në një rritje të prodhimit nga termocentralet me qymyr, që prodhojnë dyfishin e emetimeve të termocentraleve me gaz.
Termocentralet me qymyr prodhuan 16% të nevojave të BE në vitin 2021, nga 13% në 2020. Prodhimi i ulët nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme të Europës, si nga ata të erës, çoi gjithashtu në një rritje të përdorimit të fosileve.
“Mungesa e erës dhe e shiut ka kufizuar ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, ndërsa termocentralet e qymyrit kanë funksionuar pothuajse me kapacitet të plotë”, theksuan analistët.
Emetimet e sektorit të industrisë u rritën me 5.1% në 684.2 milionë ton, me prodhimin industrial gjithashtu të rimëkëmbur në të gjithë bllokun në vitin 2021.
Megjithatë, sipas analistëve, kjo ecuri të ndryshojë këtë vit pasi industria mund të përballet me problemet në kërkesë për shkak të çmimeve të rritura të energjisë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.