BE financon projektin e Pompeiit – “Një xhevahir i trashëgimisë europiane”
Komisioni Europian caktoi të mërkurën 50 milionë euro nga Fondi i Zhvillimit Rajonal Europian për vijimin e punimeve për rinovimin dhe ruajtjen e qendrës arkeologjike në Itali.
Pas përfundimit të punimeve, qyteti i lashtë romak i Pompeiit, i cili klasifikohet si një pasuri botërore nga UNESCO, do të presë 200 mijë turistë shtesë në vit.
“Në Pompeii ne ruajmë dhe rikthejmë punët e artit të së kaluarës, por në të vërtetë e bëjmë këtë gjë për të ardhmen, në mënyrë që nipërit tanë të mund të shijojnë këtë qendër unike, pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe identitetit kulturor”, tha Corina Cretu, Komisionerja e politikave rajonale, e cila vizitoi punimet e projektit në Shkurt.
Paketa financiare 50 milion euroshe do të mundësojë konsolidimin e strukturave dhe ndërtesave të lashta, duke i kthyer qendrës arkeologjike karakterin urban; ndërtimin e sistemit ujitës dhe të kanalizimit; si dhe restaurime të tjera dhe trajnimin e stafit.
Projekti ka nisur me fondet e periudhës financiare 2000-2006, me një vlerë totale prej 105 milionë eurosh. Gërmimet në Pompeii kanë vijuar prej vitit 1748 dhe ekspozimi i tyre për një kohë të gjatë, si dhe cilësia e dobët e gërmimeve ka sjellë përkeqësimin e gjendjes së qendrës.
Përfundimi i restaurimeve do të sjellë zhvillim ekonomik edhe në zonën e Kampanjës, duke nxitur turizmin dhe sipërmarrjen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.