BE financon SMEI 4 – Gjosha: Integrimi nuk ka kthim pas, ngrihen kapacitetet
Bashkimi Europian do të finacojë projektin SMEI 4, në vlerën 2 milionë euro dhe me një kohëzgjatje prej dy vjetësh.
Ky projekt është mbështetje për Ministrinë e Integrimit dhe ministritë e linjës. Ministrja e Integrimit Europian, gjatë lançimit të këtij projekti theksoi se procesi i integrimit të vendit, është një proces pa kthim pas.
“Kjo asistencë është shumë e rëndësishme, pasi trupa e teknicienëve, administrata publike është ajo që do të mbajë peshën më të rëndësishme të procesit. Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëhet pjesë e vlerave europiane, duke ndërtuar shtetin e së drejtës, duke i shpallur luftë korrupsionit, krimit të organizuar, duke respektuar të drejtat themelore të tjetrit që përbëjnë bazën e demokracisë”, tha Gjosha.
SMEI 4 do të ofrojë asistencë për ngritjen e kapaciteteve, përgatitjen e strukturave në kryerjen e një procesi screening sa më efikas dhe profesional.
Përmes këtij projekti, Shqipëria do të asistohet gjithashtu në ngritjen e kapaciteteve që kërkohen për një përafrim dhe harmonizim të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.