BE gjobit Facebook – 110 mln euro, e gënjeu për blerjen e Whatsapp

Komisioni Europian njoftoi se i ka vendosur një gjobë Facebook në vlerën e 110 milionë eurove, sa i përket çështjes së blerjes së Whatsapp në vitin 2014.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian pas një hetimi të hapur asokohe, arrin në përfundimin se, gjigandi i rrjeteve sociale i ka ofruar informacione të rreme në lidhje me procesin e blerjes.
“Vendimi i sotëm i jep një sinjal të qartë kompanisë. Duhet të respektojnë rregullat europiane në çdo aspekt sa i përket operacioneve të blerjes apo shkrirjes, por edhe detyrimin për të transmetuar informacione të sakta. Gjoba e vendosur ndaj Facebook është proporcionale me shkeljen e kryer”, deklaroi Margrethe Vestager, komisionerja europiane e konkurrencës, e cila gjatë kohëve të fundit ka marrë një rol protagonizimi.
Komisioni që ajo drejton ka gjobitur me radhë një sërë kompanish globale, kryesisht amerikane, e që operojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Nën shënjestrën e komisionit kanë përfunduar edhe Apple apo Google.
Në vitin 2014 kur Facebook bleu Whatsapp, i njoftonte Komisionit eUropian se nuk do të vepronte duke lidhur përdoruesit e Facebook me ata të Whatsapp. Dy vite pas blerjes,
Whatsapp nëpërmjet rifreskimit të fundit njoftonte edhe mundësinë e këtij opsioni. Kjo është hera e parë që Komisioni Europian gjobit një kompani për një shkelje të tillë, që prej kohës kur hynë në fuqi rregullat anti-trust në vitin 2004.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.