BE i kundërpërgjigjet SHBA – Prezanton tarifat e veta, ndërkohë që lufta tregtare merr vrull
Bashkimi Europian u kundërpërgjigj ndaj tarifave të Donald Trump, duke prezantuar penalitete ndaj një vargu të produkteve amerikane si uiski, motoçikletat dhe lëngun e portokallit, që shënjestrojnë bazën politike të presidentit. Reagimi i Europës kundër 3.2 miliardë dollarë mallra amerikanë, shton përmasën e luftës tregtare, ndërkohë që Kina dhe Meksika kanë caktuar tarifat e tyre. Rreziku i përshpejtimit të kësaj situate është i lartë, ndërkohë që Donald Trump ka premtuar rritjen e tarifave.
Duke shënjestruar prodhuesit gjerman të makinave, presidenti nisi një hetim në importet e automjeteve për të zbuluar nëse përbëjnë kërcënim të sigurisë kombëtare, që është i njëjti justifikim i përdorur për vendosjen e tarifave për çelikun dhe aluminin. “Europa vendos barriera në mënyrë që ne të mos shesim produktet bujqësore atje. Ndërkohë, ata shesin Mercedes dhe BMW, që ne thuajse nuk i taksojmë fare”, tha Donald Trump. SHBA po luftojnë në një pozitë të fortë, ndërkohë që ekonomia amerikane ndodhet në performancën më të mirë në 1 dekadë.
Nga ana tjetër, Europa nuk ka të njëjtat mbrojtje, ndërkohë që rritja ekonomike në rajon është ngadalësuar dhe situata politike në Itali dhe Gjermani është përkeqësuar. Megjithatë, në një luftë tregtare, asnjë palë nuk do të dalë e pandikuar. Pavarësisht se Trump është përpjekur të vendos presione në disa vende, zinxhiri global i furnizimit ka bërë që tarifat t’i kthehen mbrapsht në shumë mënyra duke ndikuar vendet e punës në SHBA. Shitjet e makinave Mercedes të prodhuara në Alabama nga firma gjermane Daimler, mund të goditet nga përplasja tregtare me Kinën.
Prodhuesi suedez Volvo, po përballet me rritje të çmimeve në importet e çelikut që përdorë në fabrikën në SHBA. Nëse konfliktet tregtare vazhdojnë, kompanitë do të konsiderojnë zhvendosjen e fabrikave në vende të tjera, duke sjellë humbjen e vendeve të punës në SHBA. “Ne bëmë gjithçka për të shmangur këtë situatë, por tashmë nuk kemi rrugë tjetër përveç se të reagojmë”, tha komisionerja e tregtisë Cecilia Malmstrom.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.