“BE, i papërgjegjshëm”, Fox: Nuk duhet të refuzojë rihapjen e negociatave
Ministri britanik i Tregtisë, Liam Fox, tha se do të ishte e papërgjegjshme për Bashkimin Europain që të refuzonte rihapjen e negociatave për marrëveshjen e daljes së Britanisë.
Kryeministrja, Theresa May, ka thënë se po kërkon ndryshime të marrëveshjes së daljes nga Europa që ra dakord me Brukselin gjatë vitit të kaluar, në mënyrë që të fitojë mbështetjen e parlamentit. BE ka deklaruar se marrëveshja nuk mund të rinegociohet.
“Nëse ata po thonë se do preferonin të mos negocionin dhe të përfundonin me një dalje pa marrëveshje, atëherë kjo është një qasje e papërgjegjshme. Do kishte ndikim për ekonominë europiane dhe për Britaninë gjithashtu”, tha Liam Fox.
Ndërkohë që më pak se 2 muaj kanë mbetur përpara se Britania të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars, partia opozitare ka bërë të ditur se tashmë është e pashmangshme zgjatja e periudhës së negociatave sipas Nenit të 50 të Traktatit të Lisbonës.
Fox, që ka kundërshtua hapur shtyrjen e datës së daljes, tha se zgjatja e periudhës së negociatave pa pasur një marrëveshje nuk do të zgjidhte asgjë. Por, ministri shtoi se është gjë tjetër nëse Britanisë i duhet më shumë kohë që të kalojë ligjin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.