BE-ja nuk hap negociatat me Shqipërinë – Franca, Holanda dhe Danimarka kundër. Vendimi shtyhet për në 2020-ën
Një javë plot zhvillime ka qenë kjo për Shqipërinë në lidhje me perspektivën e saj drejt Bashkimit Europian.
Ashtu siç ishte paralajmëruar që nga qershori i këtij viti, Bashkimi Europian vendosi shtyrjen e hapjes së datës së negociatave për në mbledhjen e radhës së Këshillit të Europës në tetor.
Mirëpo edhe në ditën e sotme në mbledhjen e Liderave europianë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë një përgjigje negative.
Presidenti i KE-së, Donald Tusk e komentoi vendimin si zhgënjyes dhe se Unioni nuk arriti të mbante premtimet që kishte dhënë për rajonin dhe “se përgjegjësia ngelej tërësisht mbi BE-në”.
Në deklaratë të menjëhershme ka dalë edhe kancelarja Angela Merkel, e cila e shprehu qartësisht se shtetet anëtare nuk arritën të bindeshin në një kompromis:
“Shumë shtete ishin në dakordësi për hapjen e negociatave, por kishte edhe disa të tjera të cilat nuk janë plotësisht të bindura nga progresi i bërë i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si për shembull Holanda, Danimarka dhe Franca.”
Ky vendim i Unionit ka nxitur edhe disa zëra të tjerë që janë plotësisht kundër. Njëri prej tyre është komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn, i cili ka shprehur edhe frikën e tij se mbas këtij vendimi rajoni mund të destabilizohet.
“Për të qenë të qartë: Përgjegjësia për këtë dështim nuk është tek vendet që shpresojnë për një vendim pozitiv. Ata u dorëzuan. Ishte BE që dështoi sepse nuk arriti të hapet për shkak të problemeve të brendshme. Kjo dëmton besueshmërinë e BE jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë”, shkruan Hahn.
Gjithashtu deputetja europarlamentare Tayna Fayon në një status në Tëitter ka shprehur se:
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën një dritë jeshile për hapur bisedimet me BE ditën e djeshme. Parlamenti Europian mbetet një aleat i fortë gjithesi. Besueshmëria e Unionit është shkatërruar. Franca po luan lojë të ndyrë politike dhe kam frikë se të gjithë do të paguajnë çmimin”, shkruan ajo.
Tashmë pritet që vendimi i hapjes së negociatave të shtyhet për në muajin Maj të vitit 2020, kur krerët e vendeve europiane do të mblidhen sërish bashkë për të diskutuar mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu kryeministri Rama dhe ministri Gent Cakaj kanë lajmëruar konferencë për shtyp në orën 17:00.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.