BE: Jo drejt Lindjes. Gentiloni: Italia kundër ndarjeve
Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duket se kanë arritur të gjejnë një formulë kompromisi për të ardhmen e unionit pas daljes së Britanisë.
Agjencia italiane e lajmeve, Ansa, shkruan se, teksti është dakordësuar gjatë takimit të së Mërkurës dhe se do të rishikohet sërish këtë të Hënë.
Drafti në fjalë quhet “Deklarata e Romës”. Burime nga Brukseli shprehen për Ansa-n, se, “Deklarata e Romës” me shumë gjasa do të firmoset nga të gjithë vendet anëtare, pra të 27-ta.
Ky draft propozon një Europë pa shpejtësi të lartë, pra që nuk do të ketë në themel idenë e zgjerimit. Pavarësisht kësaj, dhe pavarësisht zërave se drafti do të jetë unanim, Roma zyrtare, duket se ndan një qëndrim krejt tjetër.
“Të shkosh përpara, nuk do të thotë që të zgjedhësh për të përjashtuar dikë. Italia nuk do ta pranojë asnjëherë që të zgjidhet një ndarje mes Europës së Lindjes dhe Europës së Perëndimit. Duam të ecim përpara së bashku, dhe nuk duam që shpejtësia e kësaj Europe të vendoset parimisht nga vendet më ngurruese në këtë rrugëtim“, deklaroi kryeministri italian, Paolo Gentiloni, gjatë ndërhyrjes së tij në konferencën e kryetarëve të parlamenteve europiane.
Pavarësisht draftit, Italia duket se tashmë është pozicionuar dhe kërkon që Europa mos ti thotë jo zgjerimit, e sidomos zgjerimit drejt vendeve të Lindjes, ku referencat duket se janë të qarta, me Ballkanin Perëndimor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.