BE: Korridori Jugor i gazit duhet të mbarojë në 2020

“Korridori jugor i gazit është një ndër prioritetet kyçe të Bashkimit Europian”, deklaroi zëvendës Presidenti i Komisionit Europian, Marosh Shevchovich. Korridori jugor i gazit përfshin dy gazsjellës, atë Trans-Anatolian dhe atë Trans- Adriatik, që do të kalojë përmes Shqipërisë, që do të bëjë edhe urën lidhëse me Europën perëndimore.
Diversifikimi i burimeve të gazit dhe sidomos pavarësia e Europës nga gazi rus është pikërisht një ndër prioritetet e Bashkimit Europian. Ndër të tjera, zëvendës presidenti i Komisionit Europian shtoi se, koha e mbarimit të projektit është gjithashtu me rëndësi të madhe për Europën.
Kjo e fundit kërkon medoemos që kontinenti të fillojë të furnizohet me gazin azer duke filluar prej vitit 2020. Nëpërmjet korridorit jugor të gazit, Europa do të furnizohet me rreth 10 miliardë metër kub gaz në vit, dhe ajo që është më e rëndësishme, është fakti se, nuk do të duhet të jetë e varur nga Rusia.
Kremlini vazhdimisht ka luajtur me këtë kartë, duke bllokuar jo rrallëherë furnizimin me gaz të Europës. Gjatë javëve të fundit kanë bërë jehonë lajmet se Gazprom po interesohet për të furnizuar me gaz Azerbaixhanin, në mënyrë që, të mos humbasë monopolin e gazit mbi Europën.
“Tanap dhe Tap janë projekte të interesit të përbashkët dhe janë përfshirë në listën e projekteve kritike nën strategjinë e sigurisë energjetike europiane”, deklaroi numri dy i Komisionit Europian.
Ky i fundit vuri theksin gjithashtu te rëndësia e këshillit të korridorit jugor të gazit që do të mblidhet për të takimin e tretë ministerial më 23 shkurt në Baku, dhe ku do të marrin pjesë përfaqësues të Shqipërisë, Azerbaiaxhanit, Bosnje Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë si dhe përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.