BE lëshon sanksione ndaj Lukashenkos për shtypjen e protestave në Bjellorusi
Bashkimi Eropian (BE) ka lëshuar sanksione ndaj Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe 14 zyrtarëve të tjerë për shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë pas zgjedhjeve të kontestuara të Gushtit.
Ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit u zbatuan të Premten pas një marrëveshje të ambasadorëve të BE në fillim të kësaj jave që erdhi në përgjigje të “shtypjes së dhunshme dhe frikësimit të demonstruesve paqësorë, anëtarëve të opozitës dhe gazetarëve”, sipas një njoftimi për shtyp.
Djali i Lukashenkos dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Viktor, është midis atyre që janë në shënjestër të masave të reja. Midis të tjerëve të goditur me sanksione janë shefi i shtabit të Lukashenkos, shefi i shërbimit sekret KGB të vendit dhe zyrtari për shtyp i presidentit.
BE hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe tha se nuk e konsideron Lukashenkon si presidentin legjitim.
Protesta masive tronditën ish republikën Sovjetike pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të 9 gushtit, për të cilat protestuesit pretenduan se ishin manipuluar.
Një raport që shqyrton zgjedhjet dhe goditjen pasuese nga autoritetet, botuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) të Enjten, tha se abuzimet e të drejtave të njeriut “u gjet të ishin masive dhe sistematike dhe të provuara pa dyshim”.
Votimi ishte “jo transparent, i lirë ose i drejtë” dhe rekomandoi që rezultati të anulohej “për shkak të parregullsive në të gjitha fazat e procesit”, duke kërkuar nga Bjellorusia të “organizojë zgjedhje të reja presidenciale të bazuara në standardet ndërkombëtare”.
Lukashenko pretendoi fitoren në zgjedhje por dhjetëra mijëra protestues të opozitës që nga ajo kohë kanë dalë në rrugë në një valë protestash. Ministria e brendshme javën e kaluar tha se arrestoi rreth 300 vetë.
Udhëheqësi 66-vjeçar, i cili mbështetet nga Rusia, fillimisht u kursye nga përfshirja në listën e zezë të BE të vendosur në fillim të muajit të kaluar ndaj 40 zyrtarëve të akuzuar për mashtrim dhe abuzime të të drejtave.
Diplomatët kishin frikë se shtimi i emrit të tij në listë mund të përkeqësonte krizën. Zyrtarët bjellorusë kanë akuzuar vazhdimisht BE për ndërhyrje në punët e tyre të brendshme. (AlJazeera)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.