BE mbi rrjetet sociale – Autoritetet për konsumatorin shënjestrojnë Google, FB, Twitter

Zyrtarët e Komisionit Europian bënë të ditur se Facebook, Alphabet dhe Twitter do të duhet të amendojnë kushtet e tyre të shërbimit për përdoruesit europianë brenda një muaji, përndryshe rrezikojnë gjobë.
Kompanitë e teknologjisë në SHBA, janë përballur me mbikëqyrje të ashpër në Europë, mbi mënyrën se si zhvillojnë biznesin, nga kërcënimi i privatësisë e deri te shpejtësia nën të cilën heqin përmbajtjet e jashtëligjshme.
Komisioni dhe Autoritetet Europianë të Mbrojtjes së Konsumatorit, do të ndërmarrin veprime për të siguruar se kompanitë e rrjeteve sociale përshtaten me rregullat e konsumatorit në Bashkimin Europian.
Zyrtarët në Gjermani, thanë më herët gjatë javës se kanë planifikuar ligje të reja që u kërkojnë rrjeteve sociale si Facebook, që të heqin postimet kërcënuese online sa më shpejtë të jetë e mundur, përndryshe përballen me një gjobë prej rreth 50 milionë euro.
Autoritetet dhe Komisioni Europian kanë dërguar njoftime për kompanitë në muajin Dhjetor, duke i bërë të ditur se disa nga kushtet e shërbimit të tyre kanë thyer ligjin e mbrojtjes së konsumatorët në BE dhe se duhet të përpiqen të trajtojnë mashtrimet e postuara në faqet e tyre të web-it.
Sipas dokumenteve të parë nga Reuters, disa nga çështjet përfshijnë mos-identifikimin qartë të përmbajtjeve të sponsorizuara, kërkesën drejt konsumatorëve që të heqin dorë nga të drejta mandatore si e drejta për të anuluar një kontratë, si dhe fuqinë e tepërt të kompanive për të përcaktuar përshtatshmërinë e përmbajtjeve të gjeneruara nga përdoruesit.
Në rastin e Alphabet, shqetësimet lidheshin me rrjetin social Google+.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.