BE mbyll ‘shtegun’ që lejonte shitjen dhe eksportin e armëve me vlerë dhjetëra milionë euro në Rusi!

Bashkimi Europian ka mbyllur një shteg që i lejoi qeveritë e BE-së të eksportonin armë me vlerë dhjetëra milionë euro në Rusi vetëm vitin e kaluar, pavarësisht një embargoje që hyri në fuqi në 2014 pasi Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës.
Vendet e BE-së vitin e kaluar i shitën Rusisë armë dhe municione me vlerë 39 milionë euro (42.3 milionë dollarë), sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Komisioni i BE-së – më shumë se 50% më shumë nga viti 2020, kur shitjet ishin me vlerë 25 milionë euro, një vëllim në linjë me vitet e mëparshme.
BE-ja kishte ndaluar eksportin e armëve në Moskë në korrik 2014 si reagim ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia, por një klauzolë në sanksione lejonte shitjet sipas kontratave të nënshkruara përpara gushtit 2014. Vendet me industri të mëdha të mbrojtjes, si Franca dhe Gjermania, ishin ndër eksportuesit më të mëdhenj.
Ky zbrazëtirë është vënë nën kritika nga disa qeveri të BE-së që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, të cilin Kremlini e quan “një operacion special ushtarak”. Në një përpjekje për të dobësuar përpjekjet e Kremlinit për luftë në Ukrainë, BE ka vendosur pesë raunde sanksionesh gjithëpërfshirëse që ndalojnë eksportet në Rusi të një shumëllojshmërie të madhe teknologjie që mund të përdoret nga industria e mbrojtjes.
Por qeveritë e BE-së nuk arritën të bien dakord menjëherë për të hequr përjashtimin nga shitjet e armëve deri javën e kaluar, kur zbrazëtia u mbyll si pjesë e paketës së pestë të sanksioneve të BE-së, thanë diplomatët dhe zyrtarët e BE-së për Reuters. Një tekst ligjor i botuar më 8 prill në gazetën zyrtare të BE-së e fshin këtë përjashtim.
Komisioni i BE-së nuk e përmendi mbylljen e zbrazëtirës në komunikimin e tij publik për paketën e pestë të sanksioneve. Një zëdhënës i misionit diplomatik lituanez në BE tha se përjashtimi ishte eliminuar, por vendet e BE-së do të jenë në gjendje të vazhdojnë të transferojnë armët e prodhuara nga Rusia në Rusi për riparime përpara se ato të kthehen në BE.
Komisioni i BE-së, i cili është përgjegjës për përgatitjen e sanksioneve, nuk propozoi amendamentin për mbylljen e boshllëkut pasi nuk ishte e qartë nëse kishte mbështetjen unanime politike të 27 shteteve të BE-së, thanë diplomatët. Por në një takim javën e kaluar, të dërguarit ranë dakord të ndryshojnë tekstin pas kritikave të reja nga disa qeveri, duke përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, thanë diplomatët që morën pjesë në takim. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.