BE, më pak fonde për rajonin – Projekt-buxheti i propozuar nga KE për vitin e ardhshëm
Shqipëria së bashku me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin më pak para nga Bashkimi Europian vitin e ardhshëm, në krahasim me vitin aktual. Në projekt-buxhetin e Bashkimit Europian të prezantuar zyrtarisht nga Komisioni Europian parashikohet që fondet për mbështetjen direkte të këtyre vendeve të zbresin në 495 milionë euro vitin e ardhshëm, nga rreth 506 milionë euro për vitin aktual.
Ndërkohë, për vitin 2020 projektohet që fondet të ngjiten në 508 milionë euro. Këto fonde do të shpërndahen në formën e fondeve IPA.
Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, në projekt-buxhetin afat-gjatë të Bashkimit Europian, u propozua një rritje e ndjeshme e fondeve IPA për rajonin gjatë periudhës 2021-2027, në masën 23.9%. Ndërkohë, sa i përket vitin të ardhshëm, Komisioni Europian thotë se në total, fondet për zgjerimin do të rriten, nga 1.8 miliardë euro aktualisht, në rreth 2.3 miliardë euro, ndërkohë që për 2020 do të bien në 1.4 miliardë euro.
Pjesa dërrmuese e këtyre parave, thuajse gjysma shkojnë për Turqinë, një tjetër vend kandidat për t`iu bashkuar unionit por që për arsye të ndryshme trajtohet ndryshe nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.