BE ndalon transportimin e mbeturinave plastike në vendet në zhvillim – Vendosen masa të rrepta
Bashkimi Europian ka ndaluar që të gjitha mbeturinat plastike të pa riciklueshme të transportohen në vendet në zhvillim nga 1 Janari.
Sasia e madhe e plastikës dërguar në pjesën Jugore shpesh nuk po trajtohet si duhet. Një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve përfundojnë ose në deponi, oqean ose digjen sepse këto vende shpesh nuk kanë kapacitet për të trajtuar në mënyrë të qëndrueshme mbetjet.
Sipas rregullave të reja, vetëm ‘mbeturinat e pastra plastike’ të cilat mund të riciklohen lejohen të eksportohen në vendet jo-OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim). Për më tepër, janë miratuar masa më të rrepta për eksportin e mbetjeve plastike nga BE në vendet e OECD dhe dërgesat brenda BE të mbetjeve plastike.
Lufta e Europës me plastikën
Çdo vit, europianët gjenerojnë 25 milion ton mbeturina plastike, por më pak se një e treta (30 përqind) e tyre po riciklohen. Dhe në të gjithë botën, plastika përbën rreth 85 përqind të mbeturinave të plazhit.
“Këto rregulla të reja dërgojnë një mesazh të qartë se në BE po marrim përgjegjësi për mbetjet që krijojmë”, thotë Komisioneri për Mjedisin, Oqeanet dhe Peshkimin, Virginijus Sinkevičius.
“Ky është një moment i rëndësishëm në luftimin e ndotjes plastike, kalimin në një ekonomi rrethore dhe arritjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Gjelbër Europiane”.
Masa për të kufizuar këtë lloj eksporti të mbeturinave kontribuon në strategjinë e plastikës të BE-së, e cila synon të zvogëlojë përdorimin e plastikës dhe të inkurajojë klasifikimin dhe riciklimin më të mirë në të gjithë kontinentin.
Sipas strategjisë së re plastike:
- Të gjitha paketimet plastike në BE do të riciklohen deri në vitin 2030
- Konsumi i plastikës me një përdorim do të zvogëlohet
- Do të kufizohet përdorimi i qëllimshëm i mikroplastikave
Po në Mbretërinë e Bashkuar ?
MB nuk do të jetë më pjesë e BE nga 1 janari, që do të thotë se nuk do t’i nënshtrohet këtij ndryshimi në politikë.
Sidoqoftë, në janar 2020, Ligji për Mjedisin i cili përmbante politika të ngjashme ndaj plastikës u paraqit në Parlament.
Ndër masat e tjera për të ndihmuar mjedisin, projektligji propozoi legjislacionin i cili mbron vendet e varfëra të mos bëhen një vend hedhjeje për mbetjet plastike të MB.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.