BE nënshkruan marrëveshjen e gazit me SHBA për të frenuar varësinë nga Rusia!
SHBA dhe BE kanë shpallur një marrëveshje të madhe për gazin natyror të lëngshëm, në një përpjekje për të reduktuar varësinë e Evropës nga energjia ruse. Marrëveshja do të bëjë që SHBA t’i sigurojë BE-së gaz shtesë, ekuivalent me rreth 10% të gazit që merr aktualisht nga Rusia, deri në fund të vitit.
Blloku tashmë ka thënë se do të shkurtojë përdorimin e gazit rus si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Rusia aktualisht furnizon rreth 40% të nevojave të BE-së për gaz. Marrëveshja e re do të përfshijë SHBA-në dhe vendet e saj që të furnizojnë 15 miliardë metra kub gaz shtesë mbi 22 miliardë metra kub të vitit të kaluar.
Totali i ri do të përfaqësojë rreth 24% të gazit të importuar aktualisht nga Rusia. Synimi përfundimtar është që SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë të ofrojnë rreth 50 miliardë metra kub në vit për BE-në. Prerja e varësisë nga Rusia do të nënkuptojë gjenerimin e më shumë energjive të rinovueshme dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë, si dhe rritjen e importeve.
Marrëveshja u njoftua të premten gjatë një vizite tre-ditore të presidentit amerikan Joe Biden në Bruksel. Biden dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen diskutuan pushtimin rus të Ukrainës dhe ofruan mbështetje të re për Kievin. Ai tha se përfitimet afatgjata të marrëveshjes do të tejkalojnë dhimbjen afatshkurtër që do të shkaktonte ulja e furnizimeve me gaz rus.
Ajo vuri në dukje se objektivi 50 miliardë metra kub në vit “po zëvendëson një të tretën e gazit rus që shkon sot në Europë. Kështu që ne jemi në rrugën e duhur tani për të diversifikuar larg gazit rus.” BE-ja merr 40% të gazit të saj nga Rusia. Nëse do të largohet nga kjo varësi, ajo duhet të marrë energjinë e saj diku tjetër. BBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.