BE nis hetimet mbi shpërthimin e salmonelës prej çokollatës para Pashkëve në të paktën 9 shtete!

Agjencia europiane e shëndetësisë tha të mërkurën se po hetonte dhjetëra raste të raportuara dhe të dyshuara të salmonelës të lidhura me ngrënien e çokollatës në të paktën nëntë vende.
Ferrero tërhoqi vezët e çokollatës Kinder Surprise nga raftet britanike dhe irlandeze të hënën në atë që tha se ishte një masë paraprake. Grupi italian i ëmbëlsirave tha të mërkurën se asnjë produkt Kinder i lëshuar në treg nuk kishte rezultuar pozitiv me salmonelë.
Agjencia e Bashkimit Europian nuk përmendi Ferrero apo ndonjë kompani tjetër në një deklaratë, por paralajmëroi të mërkurën se rastet e raportuara ishin kryesisht te fëmijët nën 10 vjeç. “Përhapja karakterizohet nga një përqindje jashtëzakonisht e lartë e fëmijëve që shtrohen në spital, disa me simptoma të rënda klinike si diarreja e përgjakshme”, tha Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Britania ka numrin më të madh të incidenteve me 63 raste të konfirmuara që nga 5 prilli, tha ECDC, duke shtuar se vende të tjera me raste të mundshme ose të konfirmuara janë Franca, Irlanda, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia dhe Norvegjia.
Agjencia shëndetësore e BE-së tha se po hetonte, së bashku me Autoritetin Europian të Sigurisë Ushqimore, 134 raste të konfirmuara ose të mundshme të salmonelës. Tërheqjet e produkteve janë nisur në disa vende, duke përfshirë Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun dhe Britaninë, tha agjencia e BE-së. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.