BE nuk ia “përton” Google – Gjobë prej 2.42 mld euro, rekord historik

Një ditë më parë, Financial Times, shkruante se, Komisioni Europian do të gjobiste Google me 1 miliardë euro. Por shifra reale duket se do të jetë më shumë se dy herë më e lartë.
Brukseli dhe zonja e hekurt e Komisionit Europian, Margareth Vestanger, ka vendosur një gjobë rekord prej 2.42 miliardë euro për Google, që akuzohet se ka abuzuar me pozicionin dominues në treg.
Ky vendim vjen pas disa vitesh hetime. Kjo është gjoba më e lartë e Komisionit europian për një akuzë të tillë, duke mundur atë prej 1.06 miliardë Euro ndaj Intel në vitin 2009.
Mountain View në vitet e ardhshme mund të përballet edhe me dy gjoba të tjera, për dy çështje të tjera, që janë ende nën hetim. Njëra i referohet monopolit në sistemin operativ android dhe tjetra të ardhurave nga reklamat në rrjet, të njohur si shërbimi adsense.
Google ka 90 ditë kohë për ti dhënë fund praktikës që çoi në gjobën 2.42 miliardë euroshe, në të kundërt do të përballet me një gjobë tjetër, që fiksohet në 5% të të ardhurave të kompanisë.
Vendimi i Brukselit pritet të tensionojë së tepërmi, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit europian, në një kohë tensionesh të pazakonta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.