BE paralajmëron Kinën mbi tregtinë: “Të mbajë premtimet për hapjen e ekonomisë, kujdes me Hong Kongun”
Bashkimi Europian i kërkoi Kinës që të mbajë premtimin për të hapur ekonominë dhe paralajmëroi për pasoja negative nëse Pekini ndjek ligjin e ri të sigurisë ndaj Hong Kong-ut, që do të ndikojë tek të drejtat e banorëve atje. Në një video-konferencë me kryeministrin kinez, Li Keqiang dhe presidentin Xi Jinping, autorietet më të lartë të Bashkimit Europian thanë se kanë përsëritur akuzat se Pekini ka përhapur dezinformim mbi koronavirusin.
“Marrëdhënia mes BE dhe Kinës është më e rëndësishmja dhe në të njejtën kohë me sfiduesja që kemi”, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se Kina nuk po tregon të njëjtën mikpritje që kompanitë kineze marrin në Europë. Duke e quajtur Kinën një partner dhe një rival, von der Leyen tha se Pekini nuk ka respektuar marrëveshjen e vitit 2019 për të krijuar akses më të madh për kompanitë europiane në Kinë, apo për të hequr rregullat për investitorët e huaj që të shpalosin teknologjinë në sipërmarrjet e përbashkëta kineze.
Edhe përpara se pandemia e koronavirusit të përkeqësonte marrëdhëniet me Pekinin, Bashkimi Europian u gjend në mes të luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kryeministri kinez, Li Keqiang shprehu optimizëm mbi marrëdhëniet, duke thënë se Kina dhe BE janë më shumë partnerë se sa konkurrentë. Zyrtarët europianë kërkojnë progres në sektorë si makinat, bioteknologjia dhe pajisjet elektronike, si dhe limitin e subvencioneve të Pekinit për kompanitë shtetërore.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.