BE përgatit gjobën për Italinë – La Repubblica: Komisioni do nisë procedurat për politikat fiskale
Komisioni Europian do të nisë procedurat e disiplinës kundër Italisë këtë javë, pasi politikat fiskale të Romës mund të ekspozojnë vendin ndaj humbjes së besimit në treg. E përditshmja La Repubblica citonte një letër që do t’i dërgohej qeverisë italiane, ku populistët kanë nisur programe të shtrenjta të kujdesit shëndetësor, në përpjekje për të nxitur ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.
Shkrimi bënte të ditur se Komisioni do t’i kërkojë Romës që të bëjë shkurtime të shpenzimeve prej 3-4 miliardë euro, në mënyrë që të shmangë sanksionet europiane. Italia mezi shmangu gjobën vitin e kaluar, kur arriti në dakordësi me Brukselin mbi buxhetin e vitit 2019.
Komisioni e refuzoi fillimisht buxhetin, duke thënë se do të rriste borxhin e madh publik të Italisë. Italia uli objektivin për deficitin publik në 2.04% të Produktit të Brendshëm Bruto për 2019-ën, nga plani fillestar prej 2.4%.
Megjithatë, partia e djathtë Liga, që qeveris Italinë së bashku me lëvizjen 5-yjet, ka bërë thirrje për shpenzime të tjera të mëdha në vitin 2020. Lideri i partisë, Matteo Salvini, i bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian që të ndërhyjnë gjatë një takimi ku do të rishikohen rregullat fiskale të bllokut.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.