BE “përjashton” Londrën – Drafti sekret, një zëvendësues për tregjet financiare
Brexit ka detyruar Bashkimin Europian që të rikonceptojë tërësisht nga e para projektin për unionin e tregjeve të kapitalit, dhe që të kërkojë në mënyrë urgjente një treg financiar në gjendje që të zëvendësojë Londrën.
Të gjitha këto përfshihen në një draft dokument të përpiluar nga Brukseli dhe që ende nuk është zbardhur. Detaje nga ky draft janë zbuluar pjesërisht nga Reuters.
“Programi i unionit të tregjeve të kapitalit i quajtur ndryshe CMU duhet rifreskuar në mënyrë që të marrë parasysh sfidën e krijimit të disa tregjeve autonome për ekonomitë e 27 vendeve të unionit”, thuhet në këtë draft.
Kjo do të thotë se, Brukseli po shkon në linjë krejt të kundër me pretendimet e Londrës. Kryeministrja britanike, Theresa May, ka përsëritur vazhdimisht se kërkon një marrëveshje tregtie të lirë të drejte, përfshirë shërbimet financiare.
Në draftin e Brukselit ndërkohë, thuhet se, duhet zëvendësuar urgjentisht Londra. Ky draft do të diskutohet më 7 qershor, përpara se të mund të bëhet publik. Sa i përket zëvendësuesit të Londrës, nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.