“BE” po zëvendëson “TAP” – Mbështetje gazsjellësit Izrael-Itali, më i gjati në botë

Bashkimi Europian dhe qeveritë e Italisë, Greqisë dhe Qipros konfirmuan edhe njëherë mbështetjen e tyre për ndërtimin e gazsjellësit më të gjatë nënujor në Botë.
Ky gazsjellës do të transportojë në Europë, përmes Greqisë dhe Italisë gaz nga Lindja e Mesme. Do të jetë 2000 kilometra i gjatë dhe do të kushtojë plot 6 miliardë dollarë. Bashkimi Europian, ende pa përfunduar korridori i jugut, që përbehet nga gazsjellësi TANAP dhe TAP, kërkon ta zëvendësojë.
Qëllimi i vetëm i gazsjellësit që do të lidhë Izraelin me Italinë është që të eliminojë varësinë nga Turqia përmes TAP. Vetë ky i fundit ka për qëllim që të eliminojë varësinë e Europës nga gazi rus.
Por, situata e ndërlikuar gjeopolitike e sidomos tensionet më të fundit mes Turqisë dhe Bashkimit Europian, kanë bërë që Brukseli të humbasë besimin te Ankaraja dhe të mendojë për një plan B.
Gazsjellësi i ri, do ta bënte Europën të pavarur nga Turqia dhe Rusia sa i përket furnizimit me gaz, dhe nga ana tjetër do ti besohej Izraelit, një aleat strategjik i vendeve të unionit.
Gazsjellësi izraeliano-italian deri më tani është hedhur poshtë nga ekspertët për shkak të fizibilitetit jo të pajtueshëm, por nga ana tjetër, disa kontrata janë nënshkruar mes Greqisë dhe Qipros, çka sinjalizon se, projekti nuk do të mbetet në letër edhe për shumë gjatë.
Projekti bazohet gjithashtu te zbulimet më të fundit, sipas të cilave, trekëndëshi Egjipt-Izrael-Qipro mund të bëhet shumë shpejt një ndër 10 prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.