BE propozon qasjen e re të tregtisë globale! Në “rrezik”, Kina me SHBA-në
Bashkimi Europian do të ketë një qasje të re ndaj tregtisë ndërkombëtare, duke “u kujdesur” për veten, pas kohërave sfiduese me vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni Europian, i cili negocion marrëveshjet tregtare në emër të 27 shteteve anëtare, propozoi këtë të enjte mjete të reja për t’u bërë një lojtar më “këmbëngulës” në tregtinë globale.
Rajoni është një partner kryesor tregtar për 74 kombe në të gjithë botën dhe tregtia e dyanshme përbën rreth 43% të rritjes së saj totale të PBB-së, sipas të dhënave nga komisioni.
“Sfidat me të cilat përballemi kërkojnë një strategji të re për politikën tregtare të BE-së. Po ashtu duhet të kemi mjete për t’u mbrojtur kur përballemi me praktika të padrejta tregtare. Ne jemi duke ndjekur një kurs që është i hapur, strategjik dhe pohues, duke theksuar aftësinë e BE-së për të bërë zgjedhjet e veta dhe për të formësuar botën përreth saj” u shpreh shefi i tregtisë për BE-në, Valdis Dombrovskis.
Gjatë viteve të fundit, Bashkimi Europian ka hasur vështirësi në shtyrjen përpara të axhendës së saj tregtare shumëpalëshe. Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e Donald Trump, vendosën tarifa mbi produktet e BE-së dhe kërcënuan të ngarkojnë detyrime shtesë për prodhuesit e makinave europiane. Në vitin 2018, të dyja palët u zotuan të punojnë në një marrëveshje të vogël tregtare, por që nuk arriti të materializohej.
Përveç kësaj, Trump sfidoi gjithashtu rregullat e tregtisë ndërkombëtare duke bllokuar organin e apelit të Organizatës Botërore të Tregtisë. Ndërkaq, ai nuk u pa si një partner tipik për BE- në kur adresoi çështjet e tregtisë globale.
Po ashtu, janë ndjerë presione të brendshme. Për shembull, BE arriti një marrëveshje në parim me shtetet e Mercosur (Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai) në 2019, por marrëveshja nuk është ratifikuar ende nga ligjvënësit europianë të cilët shqetësohen për shpyllëzimet dhe praktikat e tjera në Brazil.
Përkundër këtyre sfidave, Komisioni Europian beson se është koha për të zhvilluar tregtinë në të gjithë botën edhe më tej, kështu që mund të merret më mirë me tronditjen ekonomike nga kriza e koronavirusit. Por duke shpallur një pozicion të ri më “pohues”, mund të ketë pasoja për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.
Holger Schmieding, kryekonomist në Berenberg, tha për CNBC të enjten se qëndrimi i ri i Europës “është ndoshta më i drejtuar kundër Kinës”.
“BE dëshiron të tregojë se mund të përgjigjet me forcë ndaj çdo kërcënimi nga jashtë. Kështu që, BE-ja mund të tregojë dhe të lustrojë armët e saj” tha kryekonomisti, duke shtuar se në fund të fundit qëllimi i BE-së është që Shtetet e Bashkuara të bashkohen me idetë e tyre.
Si pjesë e planit të ri, BE dëshiron të ringjallë OBT, duke përfshirë rivendosjen e trupit të saj të apelit, në mënyrë që vendet të mund të kapërcejnë çdo mosmarrëveshje të pazgjidhur.
Burimi origjinal: CNBC
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.