BE propozon rregulla të reja për televizonet dhe platformat video të internetit
Mbrojtja e fëmijëve nga reklamat e duhanit, cigareve elektronike dhe alkoolit ishin në fokusin e kërkesave të komisionit parlamentar europian për Kulturën. Eurodeputetët vlerësuan se rregulla të njëjta duhet të zbatohen si për televizionet, ashtu edhe për shërbimet e tjera të materialeve audiovizive.
Propozimi i komisionit është që platformat video duhet të marrin masa korrektuese për videot që përmbajnë dhunë, fjalime urrejtjeje ose terrorizëm; duke ofruar mekanizma për raportimin e këtyre përmbajtjeve.
“Ne propozojmë që të përshtasim disa nga rregullat që zbatohen për televizionet, në shërbimet e internetit. Këto përfshijnë rregulla për reklamimin, vendosjen e produktit dhe sponsorizimet. Disa reklamime të drejtuara tek fëmijët do të limitohen, ose do të ndalohen fare”, tha raportuesja Sabine Verheyen.
Sa i përket reklamimit në televizione, eurodeputetët vendosën për kufizimin në 20% të kohëzgjatjes totale, duke i dhënë mundësinë transmetuesit të rregullojë vetë oraret.
Për të inkurajuar prodhimet vendase dhe europiane, komisioni propozoi një kuotë prej 30% të katalogut të platformave on-demand, të jenë punë në gjuhët e vendeve ku ai shpërndahet.
Ndonëse këto kuota nuk garantojnë nxitjen e përmbajtjes audiovizuale europiane, tregon qartë politikën që kërkon të ndjekë Bashkimi Europian. Në të njëjtën kohë, platformat e videove do të mund të rrisin kontributet në fondet kombëtare të filmave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.