BE-SHBA, ka “krisje” – Merkel: Tani jemi vetëm, gati për Europën e re
Edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt, deklarata bombë e Angela Merkel pas samitit të G7-ës, flet qartë.
Kancelarja gjermane deklaroi se, pas G7-ës, Europa nuk duhet të ketë më besim te Donald Trump.
“Koha kur ne mund të mbështeteshim te të tjerët, ka kaluar, dhe këtë e kuptova ditët e fundit. Ne europianët duhet të marrim fatin në duart tona”, deklaroi shprehimisht ajo.
Për të, G7 në Taormina shërbeu për të dhënë alarmin, dhe se Europa duhet të jetë e bashkuar përballë sfidave aktuale dhe atyre të ardhshme.
Thyerjen përfundimtare mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara e konfirmoi mosarritja e një marrëveshjeje mbi ndryshimet klimatike. Ishte Donald Trump ai që i tha jo dakordësisë.
Madje Merkel deklaroi se, biseda mbi këtë çështje ishte mjaft e pakënaqshme. Kancelarja gjermane, gjithsesi kërkoi që, Europa të ruajë marrëdhëniet e miqësisë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Mediat gjermane ndërkohë, bëjnë me dije se, Kancelarja ka bërë gati një plan sekret për Europën. Ky plan përmban edhe hipotezën e një qeverie të eurozonës, në gjendje të emetojë edhe tituj për të financuar investimet, por jo eurobonde.
Plani sekret i Merkel ka si prioritet kyç adresimin e çështjes së refugjatëve dhe stabilizimin e gjendjes në Libi.
Prioriteti i dytë është mbrojtja, dhe Merkel kërkon që të shpenzohen më shumë para në këtë drejtim. Madje, plani përfshin edhe ngritjen e një komande qendrore në Bruksel për mbrojtjen e përbashkët. Me Brexit, Londra nuk është pengesë e këtij projekti.
Shtylla e tretë është pikërisht politika ekonomike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.