BE vlerëson buxhetet 2020 – Franca e Italia rrezikojnë thyerjen e rregullave. Gjermania, të shpenzojë!
Projekt buxhetet për vitin 2020 të përgatitur nga qeveria franceze dhe italiane rrezikojnë të thyejnë rregullat e Bashkimit Europian për borxhin dhe defiçitin, sipas Komisionit Europian. Krahu ekzekutiv i BE, që monitoron buxhetet e shteteve të Eurozonës, theksoi gjithashtu se buxhetet e Spanjës, Portugalisë, Belgjikës, Sllovenisë, Sllovakisë dhe Finlandës, mund të thyejnë rregullat. “Ndër buxhetet që rrezikojnë mos përputhjen, më shqetësuesit janë ato që kanë nivele të larta të borxhit dhe nuk po e reduktojnë mjaftueshëm”, tha zv/Presidenti i Komisionit, Valdis Dombrovskis, duke i’u referuar Italisë, Francës, Belgjikës dhe Spanjës. Ai shtoi se situata në këto katër vende është shqetësuese për shkak se nivelet e larta të borxhit limitojnë kapacitetin për të reaguar ndaj një goditjeje ekonomike.
Dombrovskis ftoi vendet që rrezikojnë thyerjen e rregullave që të marrin masat e duhura për të siguruar përputhjen. Megjithatë, ai shtoi se nuk kërkohet një ndryshim i menjëhershëm i projekt-buxheteve ekzistuese. Dombrovskis tha se vlerësimi i radhës i pozitave fiskale të Eurozonës do të bëhet në Pranverë. Komisioneri ekonomik, Pierre Moscovici, tha se Gjermania dhe Holanda duhet të rrisin shpenzimet publike për shkak se pozitat fiskale i’a lejojnë këtë. Sipas tij, kjo do të frenojë ngadalësimin ekonomik të zonës euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.