Ben Blushi: Reduktimi në 5% i TVSH për ushqimet, ul me 15% çmimin e tyre

Kandidati për deputet i LIBRA-s, Ben Blushi ka rikthyer në vëmendje propozimin e tij për uljen në 5 % të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet duke evidentuar se një masë e tillë do të sjellë blerjen e produkteve ushqimore bazë me një çmim 15 % më të lirë. Duke publikuar një tabele krahasimore të normës së TVSH-së për produktet ushqimore në vendet europiane, Blushi tha se forca e tij ka vendosur të ndjekë trendin europian.
“Gjithë Europa i tregton më lirë ushqimet bazë për të lehtësuar çmimet për popujt e tyre. Kjo tabelë dëshmon se sa shumë paguajmë për tu ushqyer në krahasim me vendet e tjera për shkak të taksave mbi ushqimin apo tvsh. LIBRA ka vendosur ta ndjekë këtë trend europian duke e reduktuar deri në 5 % tvsh mbi ushqimet bazë si miell, sheqer, qumësht, vaj, etj, të cilat do jenë të paktën 15% më lirë se sot duke ndikuar direkt ne cilësinë e jetës së 1 milion të varfërve dhe pensionistëve si dhe në rritjen e konsumit” shkruan Blushi në profilin e tij në “Facebook”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.