Benzina tejkalon në shitje makinat e naftës – Alarm nga prodhuesit për nivelin e ndotjes
Për herë të parë që nga viti 2009 brenda zonës BE-15 ((Austria, Belgjika, Danimarka, Finlandia, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Vendet e Ulëta, Portugalia, Spanja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar), shitjet e veturave me naftë ranë nga 50,2% e tregut në 46,3% të regjistrimeve të reja të makinave në gjysmën e parë të vitit 2017.
Tashmë makinat me benzinë janë më të kërkuara dhe këtë ndikojnë një sërë faktorësh, duke nisur fillimisht nga çmimi më i lirë.
Së dyti ndikim kanë normat e reja të ndotjes të prezantuara nga Bashkimi Europian, të cilat me standardin e ri të testimit të automjeteve, janë më të vështira për t’u respektuar dhe kanë shkaktuar panik tek drejtuesit.
Kështu, blerësit e trembur nga një rënie e mundshme e çmimit dhe të ndikuar nga mundësia për të rishitur automjetet e tyre, kanë zgjedhur makinat me benzinë.
Por fakti që motorët me benzinë ndotin më shumë se ata me naftë ka shkaktuar një alarm mes prodhuesve të automjeteve. Sipas ACEA, kalimi drejt benzinës do ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e objektivave mjedisorë.
Edhe rritja e shitjeve të automjeteve me bateri nuk mund të kompensojë një rënie të motorave të naftës, ndaj Shoqata e Prodhuesve ka kërkuar shtyrjen e objektivave për reduktimin me 20% të CO2, nga viti 2021, në atë 2030.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.