“Berlini” nuk diskuton integrimin – Merkel-Macron: Të zgjidhim problemet e secilit vend
Me iniciativën e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, krerët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Berlin, ku e pranishme ishte edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Në konferencën për mediat përpara fillimit të tryezës së rrumbullakët, Merkel tha se në fokus të samitit do të jenë problemet që ka secili vend dhe jo procesi i integrimit.
“Jemi shumë të vendosur për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por më lejoni ta them qartë: në fokus nuk është procesi i integrimit të vendeve të rajonit, por do të përpiqemi të shohim situatat e ndryshme në vende të ndryshme, për të bërë progres. Këtë duhet ta bejmë së bashku.
Kemi parë që janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara, si Maqedonia e Veriut që zgjidhi konfliktin e emrit me Greqinë. Në samit por edhe në darkën e punës do të diskutojmë se si Serbia dhe Kosova mund të gjejnë një zgjidhje”. – tha Merkel.
Ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmendi tre fushat ku do të përqendrohet samiti. Ai solli si shembull progresi në rajon, marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për emrin. “Në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor do të trajtojmë shumë çështje që sjellin stabilitet për rajonin nëse zgjidhen.
Mendojmë se janë probleme europiane, sepse një pjesë e anëtarëve tanë preken nga këto zgjidhje. Nëse njerëzit që drejtojnë kanë kurajo, ashtu sikurse Zaev dhe Tsipras, atëherë do të kemi progres.
Në fokus të diskutimeve do të jetë Kosova dhe Serbia. Pika e dytë është që së bashku me Gjermaninë të sjellim stabilitet në rajon. Pra nuk është çështje zgjerimi i Bashkimit Europian, por një stabilitet i fuqishëm. Pika e tretë është mbrojtja dhe drejtësia, sidomos lufta kundër krimit ekonomik dhe financiar”. – Macron.
Ndërkohë, përpara fillimit të samitit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Sipas njoftimit të kryeministrisë, në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në takim u diskutua edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.