“BERZH” blen kuota te ProCredit – Rritja e parë e kapitalit të bankës, institucioni merr 3.6% të aksioneve

Banka Europiane për Rindërtim dhe zhvillim ka blerë një pjesë të kuotave të Procredit Bank, grupit me bazë në Frankfurt, që është kompania mëmë e degëve të ndryshme të ProCredit në vende të ndryshme europiane, përfshirë Shqipërinë.
Këtë e ka njoftuar vetë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke saktësuar se, kuotat e blera përfaqësojnë 3.6% të totalit. Bëhet fjalë për 2.141.763 aksione të reja në formën e kapitalit të shtuar.
Sipas BERZH, dy institucionet financiare kanë një histori të gjatë bashkëpunimi mes tyre. Po sipas Berzh, duket se është pikërisht fokusi i bankës gjermane në energjinë e gjelbër, që ka tërhequr interesin e institucionit me seli në Londër.
“ProCredit është partneri ynë prej kohësh dhe ne jemi të lumtur që të marrim pjesë në rritjen e parë të kapitali nëpërmjet tregjeve financiare në mënyrë që të mbështesim rritjen e mëtejshme të grupit”, deklaroi Henry Russell, drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor në lidhje me këtë transaksion.
Prej një viti tashmë, Procredit kuotohet në bursë, duke bërë të mundur edhe operacionin e rritjes së kapitalit nëpërmjet tregjeve financiare. ProCredit Holding ndërkohë, njofton zyrtarisht se, kapitali i rritur është i barabartë me 61 milionë euro, ndërkohë që BERZH ka blerë plot 24 milionë euro kuota.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.