BERZH – Nevojiten reforma të mëtejshme për klimën e investimeve në Kosovë
Kosova duhet të zbatojë reforma të mëtejshme për të përmirësuar klimën e saj të investimeve, tha Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
“Fushat kyçe që kërkojnë vëmendje përfshijnë rritjen e ndikimit dhe efektivitetit të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, forcimin e kapacitetit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mbështetjen e zbatimit të ligjit të falimentimit dhe ligjeve të tjera tregtare”, thuhet në Raportin e Tranzicionit të BERZH për 2017-2018.
Sipas BERZH, Kosova gjithashtu duhet të përmirësojë më tej transportin ndërkufitar duke përfshirë rehabilitimin dhe përmirësimin e rrugëve kryesore dhe hekurudhore ndërkufitare. Po ashtu, BERZH shtoi se duhet të ruhet stabiliteti fiskal për të rritur besimin e investitorëve
“Kosova ka ndërtuar një rekord të lakmueshëm të maturisë fiskale, duke kontribuar në nivelin e ulët të borxhit publik dhe do të jetë e rëndësishme për të ruajtur këto arritje.”
Sipas raportit, rritja afatshkurtër ka gjasa të mbetet e fuqishme, me 3.7% në 2017 dhe 3.5% në 2018, mbështetur nga hyrjet e remitancave dhe investimet kritike në infrastrukturën e transportit dhe energjisë, por rreziqet negative mbeten të rëndësishme.
“Pasiguria e fundit politike mund të ketë një efekt të kundërt në besimin e investitorëve dhe të konsumatorëve dhe mund të vonojë projektet kryesore të infrastrukturës, të cilat janë vendimtare për zhvillimin afatgjatë të vendit”.
G.Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.