BERZH për Shqipërinë – Progres i kënaqshëm. Bankat dhe TAP, shtysa e ekonomisë
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se, stabiliteti makroekonomik, së bashku me normat e kënaqshme të rritjes ekonomike, gazsjellësi trans-adriatik si dhe besimi në rritje në sektorin bankar janë tre aspektet kyçe për tu nënvizuar në ekonominë shqiptare.
Këto vlerësime dhe të tjera bëhen në raportin e fundit të tranzicionit, që publikohet një herë në vit nga institucioni dhe që këtë vit fokusohet më së shumti te rritja e qëndrueshme ekonomike.
Sa i përket prioriteteve kyçe për vitin e ardhshëm, fokusi vihet në masën 100% të reformat, që nga ajo në administratën publike dhe drejtësi, që ka për synim afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, deri te ajo në energjetikë që duhet thelluar, si dhe te reformat që përmirësojnë klimën e biznesit.
Sa i përket reformës në energjetikë, theksi vihet te ndërmarrjet shtetërore, menaxhimi dhe aktiviteti operacional i të cilave duhet përmirësuar në raport me sektorin energjetik.
Sa i përket projeksioneve, ato mbeten të pandryshuara, në 3.7%, si për këtë vit ashtu edhe për vitin e ardhshëm. Investimet e huaja direkte do të jenë lokomotiva e rritjes ekonomike, thotë Berzh.
Ekonomia thotë institucioni do të marrë mbështetje edhe nga politikat monetare si dhe rritja e kreditimit nga bankat. Sa i përket rreziqeve kryesore, ato janë; dobësia strukturore në administratën publike dhe infrastrukturë si dhe vulnerabiliteti ndaj trazirave të jashtme, kryesisht nga Eurozona. Për sektorin bankar, Berzh flet për një ecuri mjaft të kënaqshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.