Berzh përkeqëson projeksionet – “Ekonomia shqiptare do bjerë me 9% këtë vit, do rimëkëmbet me 12% në 2021”
Ekonomia shqiptare do të bjerë me një normë në 9% këtë vit, për t`u rimëkëmbur vitin e ardhshëm me një rritje prej 12%, parashikon Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin më të fundit për rajonin ku analizon edhe ekonominë shqiptare si një prej vendeve që banka mbulon. Ky projeksion është më pesimisti mes institucioneve ndërkombëtare sa i përket impaktit të krizës aktuale në ekonominë shqiptare. Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Europian parashikojnë një recesion ekonomik në masën 5%.
“Ekonomia shqiptare me shumë gjasa do të impaktohet nga epidemia si pasojë e varësisë së lartë ndaj turizmit dhe vlerës së shtuar të ulët në eksporte. Një rënie e pritshme e remitancave gjithashtu do të shërbejë si zvarritës i rritjes”-thotë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim sa i përket efektit të pandemisë në ekonominë shqiptare, duke shtuar gjithashtu se, rimëkëmbja do të varet nga relaksimi gradual i masave të brendshme për të përmbajtur virusin si dhe te rikthimi i normalitetit në gjysmën e dytë të vitit. Sa i përket rajonit në tërësi, pra të 29 vendeve që mbulon Berzh, rënia ekonomike këtë vit projektohet në 3.5%.
Pesha e tuirzimit në ekonominë vendase bën që edhe impakti i Sars-cov-2 në ekonominë tonë të jetë edhe më i madh në terma afat-shkurtër. Jo më kot, Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor ku recesioni këtë vit do të jetë më i thellë. Për Kosovën rënia ekonomike projektohet në 5%, gjitashtu ndër normat më të larta në rajon, kryesisht si pasojë e rënies së fluksit të remitancave, thotë Berzh. Pas publikimit të Berzh ka reguar edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, sipas të cilit, faji për këtë parashikim të zymtë rëndon i gjithi mbi qeverinë dhe kryeministrin e vendit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.