BERZH rishikon rajonin – “Shpëton” Shqipëria dhe Kosova, “zhvlerësohen” fqinjët
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar projeksionet e fundit për vendet që mbulon. Sa i përket Shqipërisë, projeksionet flasin për një rritje ekonomike pranë 3.5% përgjatë këtij viti, dhe 3.7% vitin e ardhshëm, bindshëm nën projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ato të qeverisë shqiptare.
Por, pavarësisht kësaj, projeksionet për vendin tonë janë të pandryshuara, dhe Shqipëria rezulton si vendi me rritjen më të shpejtë në rajon gjatë këtij viti, sëbashku me Kosovën dhe vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike vitin e ardhshëm ndër të gjitha vendet e tjera të rajonit.
Raporti i fundit i BERZH, vë theksin te rreziqet politike që kanë mbërthyer vendet e analizuara, në të cilat banka operon, duke nënvizuar se, këto rreziqe minojnë rimëkëmbjen ekonomike.
Shembulli më i mirë për të ilustruar këtë është Maqedonia, ku projeksionet janë rishikuar në territor negativ, në një rritje prej 2.4% gjatë këtij viti, nga 3% që projektohej më parë.
Edhe Mali i Zi është rishikuar në territor negativ, me 0.5 pikë përqindje, në 3% rritje nga 3.5% që projektohej në muajin Nëntor të vitit të kaluar. Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovina janë tre ekonomitë ku projeksionet nuk kanë ndryshuar, ndërkohë që për Serbinë, institucioni është ndjeshëm më optimist se më parë.
Projeksionet e BERZH tregojnë se, Shqipëria, është vendi i dytë me rritjen më të shpejtë në Europë, ndër vendet që mbulon banka dhe që janë vende ish-komuniste. “Projeksionet ekonomike për rajonin mbeten të lidhura ngushtë me terrorizmin, tensionet gjeopolitike dhe krizën e refugjatëve”, thuhet në raport.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.