BERZH vlerëson ALSE: “Ka potencial që në të ardhmen të bëhet pjesë e rrjetit rajonal”
Pasi vlerëson me tonë pozitive sektorin bankar në vend, Banka Europiane për rindërtim dhe zhvillim vë theksin edhe te rëndësia e bursës së parë private shqiptare, që pritet të fillojë punën në fund të vitit.
BERZH i kushton një vëmendje të veçantë zhvillimit më të rëndësishëm të viteve të fundit në tregun financiar të brendshëm.
Ajo çfarë është më e rëndësishmja është fakti se, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thekson se, në të ardhmen, bursa e parë private shqiptare, Albanian Stock Exchange, potencialisht do të inkorporohet në rrjetin rajonal, pra të Europës Juglindore.
ALSE do të përdorë të njëjtin sistem elektronik me bursën e Ljubjanës, Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Podgoricës, ç`ka për rrjedhojë mundëson integrimin e bursës së vetme shqiptare në rrjetin rajonal.
Berzh është e fundit në serinë e institucioneve ndërkombëtare që vë theksin te zhvillimi më i fundit në tregun financiar vendas dhe te rëndësia që do të ketë krijimi i bursës së parë private për ekonominë dhe financat e vendit, duke qenë se krijon jo vetëm hapësira të reja për financim për kompanitë që operojnë në vend, por ofron edhe alternativa mjaft të volitshme investimi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.