Biden do krijojë task forcën e Covid-19/ Tranzicioni, i vështirë. Trump planifikon kundërshtimin e zgjedhjeve
Presidenti i zgjedhur Joe Biden, do të krijojë një task forcë të koronavirusit në nisje të Javës, për të vlerësuar problemin numër 1 të detyrës së tij të re, ndërkohë që presidenti Donald Trump po ndjek mënyra ligjore për të mbajtur postin etij. Biden do takojë bordin këshillues të drejtuar nga ish kreun e shërbimit të shëndetit publik, Vivek Murthy, dhe ish komisionerin e FDA, David Kessler, për të vlerësuar se si do përmbahet pandemia.
Ish-zv/presidenti demokrat do të mbajë konferencë në Delaware mbi planin e tij për Covid-19 dhe rindërtimin e ekonomisë. Ai ka shpenzuar pjesën më të madhe të fushatës duke kritikuar trajtimin e krizës nga Donald Trump dhe ka premtuar të dëgjojë shkencëtarët për qasjen që do ndjekë. Trump është përplasur vazhdimisht me autoritetet e shëndetësisë mbi pandeminë. Pavarësisht se Biden fitoi garën për president ditën e Shtunë, Trump nuk ka pranuar mposhtje dhe ka nisur një serë akuzash ligjore për mashtrime në zgjedhje, pa dhënë ndonjë provë. Trump nuk ka folur në publik që prej ditës së Enjte dhe po planifikon mbledhje për të protestuar rezultatin.
Ndërkohë, këshilluesit e Biden po vazhdojnë me detyrat dhe po konsiderojnë gjithashtu kandidatë për kabinetin. Megjithatë, tranzicioni nuk mund të ecë më shpejtë, deri sa Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, të certifikojë fituesin. Emily Murphy, e emëruar nga Trump në krye të agjencisë, nuk ka dhënë dritën e gjelbër për nisjen e tranzicionit. Deri më atëherë, agjencia mund t’i japë Biden zyra, kompjutera dhe kontrolle për sigurinë, por ata nuk mund të hyjnë ende në agjencitë federale apo aksesojnë fondet federale për tranzicionin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.