Biden paralajmëron Rusinë kundër “vijave të kuqe” të Ukrainës!

Joe Biden ka paralajmëruar se ai nuk do të pranojë “vijat e kuqe” të vendosura nga Moska, ndërsa frika rritet se Rusia po planifikon një pushtim të afërt të Ukrainës. Presidenti amerikan tha se do ta bëjë “shumë, shumë të vështirë” për Rusinë që të pushtojë fqinjin e saj.
Ndërkohë, mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët e inteligjencës kanë frikë se një pushtim mund të fillojë në fillim të vitit 2022. Kjo vjen pasi Ukraina thotë se Rusia ka rritur ushtrinë e saj në kufi dhe ka grumbulluar rreth 94,000 trupa atje.
Një video-telefonatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Biden për të ulur tensionet pritet këtë javë. Presidenti amerikan u tha gazetarëve se pret të ketë një diskutim të gjatë me liderin rus dhe paralajmëroi se ai nuk do të “pranojë vijat e kuqe të askujt”.
Ndërsa Biden nuk përcaktoi se çfarë veprimesh të sakta planifikon të ndërmarrë SHBA, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas paralajmëruan sërish këtë javë se sanksione të rënda ekonomike janë në tryezë kundër Rusisë.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të enjten se SHBA-ja kishte kërcënuar me sanksione të reja pas takimit të tij me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Komentet e Biden vijnë pasi Washington Post raportoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë frikë se Kremlini po planifikon një ofensivë me shumë fronte në fillim të vitit të ardhshëm, duke përfshirë deri në 175,000 trupa.
Zyrtarët thuhet gjithashtu se kanë parë një rritje në përpjekjet propagandistike përmes përdorimit të përfaqësuesve dhe organeve mediatike për të denigruar Ukrainën dhe NATO-n përpara një pushtimi të mundshëm. BBC
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.