Biden paralajmëron të pavaksinuarit: ‘Nëse nuk jeni të vaksinuar, keni arsye për t’u shqetësuar nga Omicron’

Presidenti i SHBA, Joe Biden, dha një paralajmërim tek të pavaksinuarit, duke i thënë se kanë arsye për t’u shqetësuar, dhe siguroi të imunizuarit se mund të mblidhen për pushime pavarësisht variantit të ri. “Ky nuk është Marsi i 2020-s” – tha Biden në Shtëpinë e Bardhë. Duke ashpërsuar pak tonin mbi 1 në 4 amerikanë të rritur që nuk janë vaksinuar plotësisht, Biden tha se ata kanë një rrezik shumë më të lartë që të përfundojnë në spital, apo vdesin. Masat e lajmëruara këtë javë përfshijnë aktivizimin e rreth 1,000 staf mjekësor ushtarak për të ndihmuar spitalet që ndodhen në mbikapacitet nga pacientët në disa zona.
Reagimi i Biden ndaj Covid-19 është kritikuar për fokusin tejet të madh tek vaksinat e jo tek testet dhe maskat, si dhe për nënvlerësimin e lëvizjes së motivuar politikisht kundër-vaksinimit në SHBA. Masat e reja federale nuk do të aplikohen plotësisht përpara Krishtlindjeve, duke bërë që shumë amerikanë të përpiqen të gjejnë teste përpara mbledhjeve gjatë pushimeve. Varianti Omicron, i zbuluar në muajin e kaluar, po dyfishon infeksionet në 1.5-3 ditë, sipas OBSH, që shton se nuk është ende e ditur nëse shkakton sëmundje më serioze se sa varianti Delta.
Sipas të dhënave të fundit në SHBA, Omicron përbën 73% të rasteve të reja, nga më pak se 1% në nisje të muajit. Biden akuzoi gjithashtu disa personalitete televizivë dhe kompani të mediave sociale se po bëjnë para duke shitur mashtrime mbi vaksinate Covid-19 dhe përhapur keqinformim që mund të ketë pasoja tek shikuesit apo ndjekësit. Biden nuk identifikoi ndonjë person apo kompani, por SHtëpia e Bardhë ka kritikuar Fox Neës dhe prezantuesit Tucker Carlson dhe Sean Hannity. Biden ka kritikuar edhe më parë Facebook për lejimin e postimeve që përhapin keqinformim mbi vaksinat.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.