Biden, takim me ekzekutivët e teknologjisë – Kërkon më shumë bashkëpunim përballë kërcënimeve kibernetike
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar gjigandëve të teknologjisë, industrisë financiare dhe kompanive të infrastrukturës të bëjnë më tepër për të trajtuar kërcënimet në rritje të sigurisë kibernetike për ekonominë amerikane, gjatë një takimi të zhvilluar me presidentin Joe Biden dhe anëtarët e kabinetit të tij.
“Qeveria federale nuk mund të përballet me këtë sfidë e vetme”, deklaroi Biden përpara ekzekutivëve të kompanive më të mëdha. Siguria kibernetike është ngjitur në krye të axhendës së administratës së Biden, pas disa sulmeve të profilit të lartë ndaj kompanisë së manaxhimit të rrjetit, SolarWinds Corp, ndaj gazsjellësit Colonial, ndaj kompanisë së përpunimit të mishit, JBS dhe ndaj firmës së softuerëve, Kaseya.
Sulmet dëmtuan edhe Shtetet e Bashkuara, përveç kompanive, pas ndikuan në furnizimin me karburant dhe me ushqime. Lista e të ftuarve përfshinte shefin e ri të Amazon Andy Jassy, shefin ekzekutiv të Apple Tim Cook, atë të Microsoft Satya Nadella, shefin e Google Sundar Pichai dhe kreun e IBM, Arvind Krishna. Microsoft njoftoi se do të investojë 20 miliardë dollarë, gjatë 5 viteve të ardhshme për të përshpejtuar punën mbi sigurinë kibernetike.
Gjithashtu, Microsoft do të ofrojë edhe rreth 150 milionë dollarë në formën e shërbimeve teknike për të ndihmuar qeveritë federale, shtetërore dhe lokale të mbajnë të përditësuara sistemet e tyre të sigurisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.