Bie industria italiane – Me 2.6% gjatë Nëntorit, automjetet rënien më të madhe
Industria italiane ka regjistruar një rënie përtej pritshmërive gjatë Nëntorit të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat më të fundit zyrtare. Sipas institutit të statistikave në vend, rënia fiksohet në 1.6% në terma mujorë.
Në terma vjetorë ndërkohë, në krahasim me Nëntorin e vitit të kaluar, rënia fiksohet në 2.6%. Kjo është rënia më e madhe që prej Tetorit të vitit 2014.
Dobësia do të reflektohet në të dhënat e të gjithë tremujorit të fundit të vitit ndërkohë që ekspertët e Istat argumentojnë se, kjo dobësi është gjithashtu në linjë me të gjithë tendencën e vitit 2018.
Një rënie të konsiderueshme ka pësuar sektori i prodhimit të automjeteve gjatë Nëntorit, me 19.4% me bazë vjetore dhe me 8.6% në krahasim me muajin paraardhës.
Përgjatë 11 muajve të vitit 2018, rënia në prodhimin e makinave fiksohet në 5.1%. Të dhënat janë në linjë edhe me tendencën europiane.
Gjatë Nëntorit edhe industria gjermane raporton rënie të mëdha, me 4.7% në terma mujorë, që është edhe rënia më e madhe që prej vitit 2009.
Edhe Franca raporton rënie më 1.5% të industrisë e po ashtu edhe Spanja. Pra, ekonomitë më të mëdha të unionit. Të gjitha këto të dhëna sinjalizojnë se, dobësia mund të transmetohet edhe përgjatë këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.